X
GO
sq-ALen-GB

Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës

Historiku dhe kontributi

Posted: Shk 26, 2018
Comments: 0

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë e kanë filluar operimin menjëherë pas luftës, si ndihmë financiare dhe programe të mikro-kreditimit në mbështetje të nismave të biznesit të vogël në Kosovë. Kontributi i tyre ka qenë i rëndësishëm për të filluar rritjen ekonomike në periudhën pas luftës, kur sektori financiar ishte pothuajse inekzistent.
Pas mbështetjes fillestare të donatorëve, IMF-të janë financuar nga kredi komerciale nga institucione financiare ndërkombëtare me një normë interesi mes 6.5-9% në vit. Në përgjithësi, këto institucione janë banka zhvillimore dhe investitorë me përgjegjësi sociale, të cilët mbështesin aktivitete dhe sektorë të caktuar të ekonomive në zhvillimin, të cilët kontribuojnë për të përmirësuar standardet e jetesës së grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë. Disa nga huadhënësit e njohur për IMF-të në Kosovë janë: BERZH, FMO, EFSE, Blue Orchard, Symbiotics, OIKO Credit, Triple Jump, etj.
Pjesa më e madhe e IMF-ve në Kosovë kanë status të OJQ-së. Ato janë të liçencuara si institucione mikrofinanciare dhe mbikqyren nga rregulloret e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). IMF-të dorëzojnë pasqyrat financiare vjetore të audituara tek BQK dhe raportet vjetore tek Zyra e OJQ-ve. Për më tepër, IMF-të raportojnë në baza mujore dhe tremujore tek BQK.
Përfitimet që industria mikrofinanciare ofron për popullin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit janë të shumta. Megjithatë, më e rëndësishme është ndikimi i IMF-ve në përfshirjen në sektorin financiar të shtresave më të varfëra të shoqërisë. Sektori mikrofinanciar i shërben një shtrese të popullsisë që, përndryshe, nuk shërbehet nga bankat komerciale. Përfshirja në sektorin financiar e të gjitha shtresave të shoqërisë zvogëlon nevojën e njerëzve për të adresuar nevojat e tyre financiare në tregjet informale të kredisë, ku kushtet e financimit janë të pafavorshme, ilegale dhe përfundojnë gjithmonë me pasoja të rënda.
Industria mikrofinanciare gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në edukimin financiar të klientëve, të cilët marrin udhëzime se si produktet financiare funksionojnë, duke u lejuar klientëve që të lëvizin nga pjesa joformale në ekonominë formale në Kosovën e pasluftës dhe duke u dhënë atyre dhe familjeve të tyre mundësitë për sipërmarrje. Mikrofinanca ka një efekt të fuqishëm në komunitet, pasi efektet e saj prekin klientët dhe bizneset e tyre të vogla, familjet e klientëve (p.sh. të ardhurat shtesë përdoren shpesh për të përmirësuar ushqimin dhe edukimin e fëmijëve), si dhe individë të tjerë të cilët përfitojnë nga mundësitë shtesë të punësimit që krijohen nga rritja e bizneseve. IMF-të e Kosovës luajnë një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave nëpërmjet kredive të vogla. KGMAMF, e cila është një IMF e asocuar me Grammeen ofron kredi të vogla vetëm për gratë, ndërsa përqindje e konsiderueshme e portofolit të përgjithshëm të kredive është dhënë hua për gratë.
Sot, IMF-të vazhdojnë të plotësojnë nevojat e tregut të Kosovës, me kreditim për bizneset e vogla dhe sipërmarrësit individual, duke përfshirë fermerët, në shuma që mesatarisht janë 1,900 euro. Si nga Raporti Mujor i Anëtarve të AMIK i muajit dhjetor 2017, IMF-të operojnë në 109 degë që mbulojnë të gjithë territorin e Kosovës, ato shërbejnë rreth 70,000 klientë aktiv dhe punësojnë rreth 883 persona. Këto statistika demonstrojnë kontributet e IMF-ve në ekonominë e Kosovës.
Pa sektorin e IMF-ve, këta klientë do të mbeteshin të pa-shërbyer. Sektori bankar në mënyrë tipike i shmang kreditë mikro, sepse ata janë me risk dhe bankat preferojnë të shfrytëzojnë ekonomitë e shkallës që rezultojnë nga kreditë më të mëdha. Kartat e kreditit nuk janë një produkt tipik për të ndihmuar klientët mikro apo klientë afër nivelit të varfërisë. Dhe kur përdoren janë shpesh herë më të shtrenjta se mikrokreditë.
Normat e interesit edhe pse në dukje janë të larta, janë përafërsisht në nivel të mbulimit të kostove dhe janë të krahasueshme me rajonin. Konkurrenca, heqja e kufizimeve në shërbime dhe përfshirja e sektorit privat do të ndikojë dukshëm në uljen e normave të interesit.
OJQ-të mikrofinanciare (IMF-OJQ) janë të përhapura në vende të tjera në zhvillim, përfshirë rajonin tonë. Institucione të tilla janë bërë të njohura në botë sidomos pas marrjes së çmimit Nobel nga Muhammad Yunus (themeluesi i Grameen). Modeli i operimit në Kosovë është i ngjashëm me vendet tjera, ku normat e interesit janë në nivel për të mbuluar kostot e financimit, rrezikun e kreditimit për bizneset e vogla dhe informale dhe koston administrative të kreditimit, e cila është më e lartë për kreditë e vogla.
 

Print
Tags:
Rate this article:
No rating

x